Në majën më të lartë të botës valëvitet për herë të parë flamuri shqiptar!
May 25, 2012 in Everest 2012, Njoftime, Veprimtari
Sot më datë 25 maj 2012, në majën më të lartë të botës, Everest (8848 m) valëvitet për herë të parë edhe flamuri shqiptar krahas atyre vendeve, përfaqësuesit e të cilave kanë arritur ta pushtojnë “çatinë e botës”. Ekipi i plotë prej gjashtë alpinistësh shqiptarë të shoqatës “Dajti Alpino-Turistik” ka mundur të ngjitet sot, në orën 7 të mëngjesit me orën lokale (1 pasmesnate me orën e Shqipërisë) në pikën më të lartë të malit të Everestit (Xhomolungma) dhe të gjithë rruzullit tokësor, 8848 metra mbi nivelin e detit. Ngjitja është realizuar me një sukses të plotë dhe të rrallë, për sa i përket numrit të plotë të alpinistëve që ia dalin mbanë, siç konfirmohet nga lidhjet dhe përditësimet e vazhdueshme me përfaqësuesin e kompanisë alpinistike, që shoqëron ekipin shqiptar, z. Pradip Kumar Limbu.
Ekipi shqiptar, i nisur nga Tirana në datën 2 prill, përbëhët nga këta alpinistë, të renditur sipas moshës: Mateo Begeja (19 vjeç), Erli Rudho (22 vjeç), Gerti Pishtari (25 vjeç), Fation Plaku (37 vjeç), Gjergj Bojaxhi (38 vjeç) dhe Xhim Begeja (47 vjeç). Një kohë e gjatë aklimatizimi dhe ngjitje-zbritjesh të vazhdueshme në lartësitë 5200-7500 metra të malit, i ka paraprirë pushtimit të majës së Everestit. Kjo është strategji standarde e ngjitjes së ketij mali, për shkak të kushteve ekstreme atmosferike me erëra të fuqishme dhe temperatura deri në -400C dhe sidomos rrallimit të oksigjenit për shkak të lartësisë së madhe (në 8000 m lartësi ajri në atmosferë përmban 1/3 e oksigjenit që gjendet në nivelin e detit). Përcaktimi i ekipit të shoqatës “Dajti Alpino-Turistik” u vendos pas një kohe të gjatë stërvitore, ndërkohë që alpinistët iu nënshtruan testimeve dhe garave të ndryshme fizike. Ekspedita e të gjashtë alpinistëve shqiptarë u mbështët nga sponsor të ndryshëm privatë dhe institucione publike, të cilët mundësuan financiarisht realizimin e saj.
Alpinistët janë duke zbritur lartësi dhe pritet të mbërrijnë në atdhe në javën e parë të qershorit.




















